Si e shohin të rinjtë hapësirën publike të qytetit të tyre? Çfarë u mungon, çfarë duan të ruajnë dhe çfarë do të ndryshonin nëse do t’i pyesnim me të vërtetë?
Të rinjtë e përdorin qytetin çdo ditë – rrugët, parqet, shëtitoret dhe hapësirat e gjelbra – por mendimi i tyre rrallë kërkohet kur vendoset se si do të duken këto hapësira dhe kujt do t’i shërbejnë. Për ta, hapësira publike nuk është vetëm një sipërfaqe fizike. Është vend lirie, shoqërimi, sporti, kreativiteti, takimesh dhe mësimi jashtë shkollës dhe familjes. Është gjithashtu një nga të paktat vende ku mund të kalojnë kohë së bashku pa qenë të detyruar të blejnë apo të paguajnë diçka.
Pikërisht nga kjo ide lindi publikimi i ri i Shoqatës Dr Martin Schneider-Jacoby Assoc. – MSJA, „Hapësira publike nga prizmi i të rinjve: Çfarë është, si dhe për çfarë shërben?“
Këtë herë nuk donim t’u tregonim të rinjve se si duhet të duket hapësira publike. Donim t’i pyesnim ata.
Së bashku me nxënësit e IP SHMK „Vëllazërim-bashkim“ në Ulqin dolëm në terren dhe si hapësirë të hulumtimit tonë zgjodhëm Pyllin e Pishave – brezin nga hapësira e ish-hotel Galebit deri në zonën përtej hotel Albatrosit. Vëzhguam atë që tashmë ekziston dhe shtruam disa pyetje të thjeshta: Si përdoret sot kjo hapësirë? Çfarë vlerash ka dhe duhen ruajtur? Çfarë mungon? Ku ka pengesa apo rreziqe? A është hapësira e qasshme për të gjithë? Dhe si mund ta bëjmë më të mirë?
Nxënësit, të ndarë në katër grupe, hartuan propozimet e tyre. Detyra nuk ishte të projektonin një hapësirë të re apo të propozonin ndërhyrje të mëdha ndërtimore. Përkundrazi, duhej të ruhej karakteri i Pyllit të Pishave, gjelbërimi dhe ambienti i tij natyror, ndërsa përmes ndërhyrjeve të thjeshta, kreative dhe të qëndrueshme, hapësira të bëhej më funksionale, më e sigurt dhe më e qasshme për të gjithë.
Lindën ide të ndryshme: rregullimi i shtigjeve ekzistuese, një palestër më e sigurt në natyrë, vende për pushim dhe shoqërim, një bibliotekë e hapur dhe “Shtegu i Poezisë”, përmbajtje për të rinjtë, lëvizje më e lehtë dhe më e qasshme, ulëse, ndriçim, gardhe mbrojtëse, shtëpiza dhe ushqyes për zogjtë, ruajtja e pishave dhe lidhshmëria më e mirë me bregun.
Por, kur të gjitha punimet vendosen pranë njëri-tjetrit, mesazhi i tyre i përbashkët është shumë i qartë: Pyllin e Pishave nuk duhet ta ndryshojmë – duhet ta ruajmë dhe ta bëjmë më të mirë për të gjithë.
Prandaj, ky publikim nuk është plan urbanistik dhe as përmbledhje projektesh të gatshme. Ai paraqet këndvështrimin e të rinjve për një hapësirë publike me vlerë të qytetit të tyre. Vlera e punimeve të tyre nuk qëndron vetëm te zgjidhjet e vizatuara, por edhe te pyetjet që parashtrojnë: Kujt i përket hapësira publike? Kush e përdor atë? Për kë është e qasshme? Çfarë duhet ruajtur? Dhe si mund ta bëjmë më të mirë së bashku?
Sepse të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm përdorues të hapësirave që të tjerët i planifikojnë për ta. Ata duhet të jenë pjesë e procesit në të cilin këto hapësira mendohen dhe formësohen. Pjesëmarrja nuk do të thotë t’i pyesim për mendimin e tyre kur gjithçka tashmë është vendosur. Do të thotë t’u japim mundësinë të vëzhgojnë, të shtrojnë pyetje, të propozojnë dhe të marrin pjesë.
Qyteti në të cilin duam që të rinjtë të qëndrojnë, duhet të jetë edhe qyteti në krijimin e të cilit zëri i tyre dëgjohet.
Zenepa Lika, ark. dipl.
drejtoreshë ekzekutive
Shoqata Dr Martin Schneider-Jacoby Assoc. – MSJA
Publikimin në gjuhën malazeze mund ta shkarkoni këtu.
Publikimin në gjuhën shqipe mund ta shkarkoni këtu.
Publikimi „Hapësira publike nga prizmi i të rinjve“ është realizuar në kuadër të projektit „Rojtarët kreativë dhe zëri i komunitetit për trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Ulqinit“, të cilin e zbaton Shoqata Dr Martin Schneider-Jacoby Assoc. – MSJA, me mbështetjen financiare të Fondacionit Evropian për Demokraci – EED.
Mendimet dhe qëndrimet e shprehura u përkasin vetëm autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e donatorit.
