Qyteti yt. Zëri yt. E ardhmja jote.
Shoqata Dr. Martin Schneider-Jacoby Association (MSJA) ka filluar zbatimin e projektit „Perspektiva: Zëri i të rinjve për zhvillimin e qëndrueshëm të Ulqinit“, i cili do të realizohet gjatë nëntë muajve të ardhshëm me synimin për t'u ofruar të rinjve mundësinë që të marrin pjesë më aktivisht në proceset e vendimmarrjes dhe në formësimin e së ardhmes së komunitetit të tyre.
Projekti mbështetet përmes programit „Liderstvo mladih“, i cili zbatohet në kuadër të projektit „De Facto për të Rinjtë“, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, ndërsa zbatohet nga Fondi për Qytetari Aktive (fAKT) dhe ALFA Centar.
Projekti është konceptuar si përgjigje ndaj sfidave të identifikuara gjatë punës së deritanishme me të rinjtë, por edhe mbi bazën e gjetjeve të Planit Lokal të Veprimit për të Rinjtë të Komunës së Ulqinit, të cilat tregojnë nivel të ulët informimi, mundësi të kufizuara për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe komunikim të pamjaftueshëm ndërmjet të rinjve dhe institucioneve. Qëllimi i projektit është që këto sfida të shndërrohen në mundësi përmes edukimit, punës praktike dhe dialogut të drejtpërdrejtë me institucionet.
Nën moton „Qyteti yt. Zëri yt. E ardhmja jote.“, projekti do të përfshijë të paktën 20 të rinj nga Ulqini, të cilët përmes një sërë punëtorish dhe aktiviteteve praktike do të fitojnë njohuri dhe aftësi në fushën e angazhimit qytetar, avokimit publik dhe pjesëmarrjes aktive në krijimin e politikave lokale. Njëkohësisht, përmes mjeteve digjitale dhe aktiviteteve publike, projekti do të arrijë edhe një numër shumë më të madh të rinjsh në komunitetin lokal.
Gjatë realizimit të projektit do të organizohen punëtori mbi mekanizmat e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, avokimin publik dhe analizën e Planit Lokal të Veprimit për të Rinjtë. Më pas, pjesëmarrësit do të zgjedhin disa masa të këtij plani për t'i monitoruar, do të analizojnë zbatimin e tyre dhe, mbi bazën e gjetjeve, do të hartojnë dhe zbatojnë një fushatë rinore të avokimit publik me synim përmirësimin e politikave lokale.
Një pjesë e rëndësishme e projektit do t'i kushtohet forcimit të dialogut ndërmjet të rinjve dhe administratës lokale. Përmes takimeve me përfaqësuesit e institucioneve, të rinjtë do të kenë mundësi të prezantojnë rezultatet e monitorimit, të paraqesin rekomandimet e tyre dhe të marrin pjesë në diskutime për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre dhe zhvillimin e ardhshëm të Ulqinit.
Projekti do të përdorë forma bashkëkohore komunikimi të përshtatura për të rinjtë. Do të krijohet komuniteti në Viber „Të Rinjtë e Ulqinit“.Projekti do të përdorë forma bashkëkohore komunikimi të përshtatura për të rinjtë. Do të krijohet komuniteti në Viber „Të Rinjtë e Ulqinit“, do të prodhohen episode podcastesh dhe video të shkurtra, ndërsa përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të tjera digjitale të rinjtë do të informohen mbi mundësitë për t'u përfshirë në proceset e vendimmarrjes. Të gjitha përmbajtjet do të publikohen në gjuhën shqipe dhe malazeze.
Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet përfshirjes së të rinjve në diskutimet mbi temat që do të përcaktojnë të ardhmen e Ulqinit, duke përfshirë zhvillimin e qëndrueshëm, menaxhimin e burimeve natyrore, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetin lokal. Përmes zhvillimit të mendimit kritik, përgjegjësisë qytetare dhe kulturës së dialogut, të rinjtë do të inkurajohen të bëhen pjesëmarrës aktivë në proceset që ndikojnë në zhvillimin e qytetit të tyre.
Gjatë gjithë zbatimit të projektit, MSJA do të informojë rregullisht publikun për aktivitetet, mundësitë e përfshirjes dhe rezultatet e arritura.
Sepse e ardhmja e Ulqinit nuk ndërtohet vetëm nga institucionet. Ajo ndërtohet edhe nga të rinjtë që kanë mundësinë ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.
Qyteti yt. Zëri yt. E ardhmja jote.

